Skip to main content
15h_evdomada

Java 15

LE TË MATEMI!

Madhësia e bebes: 93-103 mm

Pesha e bebes: 50 gramë

Si jemi këtë javë? Bebja po “argëtohet” duke kapur e lëshuar kordonin umbilikal! Qeskat e ajrit në mushkëritë e tij tani nisin të zhvillohen dhe fetusi mund të thithë e të nxjerrë lëngun amniotik, sasia e të cilit është shtuar në rreth 250 mililitra. Këmbët po rriten më shumë se krahët dhe mund të lëvizë të gjitha kyçet. Kockat në trupin e tij po bëhen më të forta. Një element i ri këtë javë është lemza e bebit, shenjë paralajmëruese e frymëmarrjes… edhe pse qepallat janë të shtrënguara fort, ai mund të ndiejë dritën. Për të kuptuar këtë nëse drejton një prozhektor drejt barkut, do të ndjesh beben të ikë nga drita! Gjithashtu nis të krijojë ndjesinë e shijes, si dhe të dëgjimit në fazat elementare. Zhurmat e forta mund ta shqetësojnë beben, ndërsa muzika qetësuese mund ta qetësojë atë. Mund të prekësh barkun here pas here dhe t’i flasësh bebes; thuhet se zëri yt (si dhe zëri i babait) e qetëson atë…

A E DINIT SE?

…30% e grave gjatë shtatzanisë vuajnë nga “riniti gjatë shtatzanisë”? Mos u alarmoni, kjo është shumë e zakonshme dhe ka të bëjë me vështirësi në frymëmarrjen me hundë, hundët e zëna siç njihen ndryshe! Zakonisht është një bllokim i lehtë që shoqërohet nga rrjedhje të hundës, por zakonisht tolerohet nga gratë shtatazana dhe që mund të përshtaten me të deri në lindje. Antihistaminat dhe llojet e tjera të ilaçeve janë të ndaluara gjatë shtatzanisë, kështu që kërko zhbllokim të hundëve me solucion fiziologjik, por ajrose shtëpinë mjaftueshëm, çka do të reduktojë mundësitë për alergji për shkak të pluhurit në shtëpi.

Për më tepër, hormonet e prodhuara gjatë shtatzanisë, rritin qarkullimin në të gjitha zonat mukoze të trupit si vaginë dhe hundë duke qarkulluar në gjak. Ndoshta sekrecionet vaginale mund të të shqetësojnë, pasi mund të jenë me erë të keqe ose ngjyrë e përbërje ndryshe. Mos përdor sapun për zonën intime, këshillohu me mjekun dhe ai do të të udhëzojë.

Tremujori i dytë i shtatzanisë është më i qetë se tremujori i parë dhe më i rehatshëm se tremujori i tretë. Shumë çifte stresohen se si do të shkojnë gjërat dhe si të menaxhojnë zhvillimet në të ardhmen, por mos të të zërë paniku. Kjo është një mundësi për tu qetësuar, të kujdesesh për veten dhe të ndihesh mirë në gjithë aktivitetin tënd. Kujdesu për trupin, përpiqu të kuptosh nevojat e tij dhe t’i mbulosh ato. Je shumë emocionale, kështu shprehi dëshirat partnerit ose të afërmeve të tu dhe le të kujdesen ata për ty. Pak pushim… dhe do të ndihesh më mirë!

Më në fund tani është koha e përshtatshme për të lenë takimin e rradhës me doktorin për të folur për ekon B të rradhës, qëllimi i të cilit është monitorimi i detajuar i anatomisë së fetusit. Është gjithashtu një shans për të “parë” vjedhurazi beben… vendos shënim në axhendë pa humbur kohë!

Këshillë

Bisedo shpenguar me mama të tjera (edhe me atë tënden) për shtatzaninë! Gratë që kanë përjetuar tashmë amësinë, mund të të japin këshilla të mira, një krah për tu mbështetur, por edhe kuptimin dhe mbështetjen që ju nevojitet. Gjatë shtatzanisë shumë gra afrohen dhe më tepër me njerëzit e tyre kur ndajnë përjetimin e momenteve të paharrueshme të shtatzanisë!  
Javë të mbarë… E këshilla të këndshme!

Burimi

http://www.paidorama.com