10 ndryshime kur bëhesh një nënë e re
Momenti më i rëndësishëm për çdo grua që zgjedh të bëhet nënë është ardhja në jetë e foshnjës së saj. Megjithatë, çdo foshnjë nuk vjen thjesht dhe vetëm për të plotësuar jetën e secilës grua, por për të ndryshuar të gjitha zakonet e saj.
Por, cilat janë ndryshimet më të rëndësishme në jetën e një nëne të re?
Gjumi
Detyrimisht, ora biologjike e nënës tashmë sinkronizohet me orën e foshnjës. Të porsalindurit priren të flenë gjashtëmbëdhjetë deri në shtatëmbëdhjetë orë në ditë. Të porsalindurit nuk kanë ndjesi të ditës apo të natës, dhe as të nevojave apo të rezistencës së prindërve… Prandaj, kur keni pak kohë të lirë mes ushqyerjes, larjes dhe ndërrimit të pelenës… shfrytëzojeni atë (!) në mënyrë që edhe ju të bëni një gjumë të shkurtër pranë foshnjës suaj.
Ushqimi
Zakonet tuaja ushqyese, nëse ushqeni me gji, janë të tilla që i porsalinduri të marrë të gjithë gamën e substancave të dobishme. Kufizoni "zakonet e këqija" të kafesë, alkoolit dhe ëmbëlsirave të shumta. Edhe nëse nuk ushqeni me gji, vaktet e gjata, të rehatshme dhe pa shqetësime shndërrohen në vakte të shkurtra "në këmbë", mes detyrimeve të ndryshme, punëve të shtëpisë dhe rregullimeve.
Dushi
Ndërrim pelene, ushqyerje, lojë, dush, ninullë dhe përsëri nga fillimi! Foshnja juaj ka nevojë për ju vazhdimisht. Prandaj, edhe koha për të larë flokët pa shqetësime mund të duket minimale, pasi sapo shkoni të shplodheni nën dush, i porsalinduri sikur e ndjen mungesën tuaj dhe ju kërkon me ngulm. Vendosni si synim të keni çdo ditë një pushim prej 20-30 minutash, kur foshnja fle ose kur partneri juaj merret me të. Shfrytëzojeni këtë kohë për të bërë diçka që vërtet e shijoni.
Pamja e jashtme
Koha që "shpenzonit" për të zgjedhur se cila bluzë shkon me cilat pantallona, cili manikyri apo cila shall është e përshtatshme për daljen tuaj, ka ikur pa kthim. Tani shpesh qarkulloni me tuta, pa grim dhe me flokët e kapura vazhdimisht me lloj-lloj llastiqesh dhe karficash – veshja e duhur për kërkesat e ndërrimit të pelenës dhe ushqyerjes së një foshnjeje! Kujdes, megjithatë, pasi ia keni borxh vetes dhe partnerit tuaj të mos harroni se jeni edhe grua, përveçse nënë.
Koha personale
Ditët tuaja kishin një program dhe i përcaktonit vetë përpara lindjes së fëmijës suaj. Tani gjithçka rrotullohet rreth nevojave dhe kujdesit për foshnjën tuaj. Një dalje për kafe, një darkë me partnerin tuaj, madje edhe leximi i 10 faqeve të një libri bëhet, "nëse arrihet", nën presionin e kohës. Prandaj, përpiquni të organizoni siç duhet kohën tuaj, duke krijuar një program të përditshëm. Në këtë mënyrë, formësoni gradualisht rutina për të voglin që ka nevojë për to dhe siguroni hapësira të vogla e të vlefshme "personale" për veten tuaj.
Miqtë
Vendi i shoqes suaj të ngushtë do të ketë gjithmonë hapësirën e tij në zemrën tuaj, por tani nuk ka hapësirë dhe mbi të gjitha kohë për të pirë kafe duke bërë biseda dhe analiza të pafundme për shqetësime ekzistenciale ose jo... Sidoqoftë, shoqet dhe miqtë tuaj duhet t'ju mbështesin praktikisht dhe t'ju përkrahin psikologjikisht, pavarësisht nëse kanë apo nuk kanë fëmijë!
Bisedat
Temat e bisedave në periudhën e parë lidhen ekskluzivisht me foshnjën: sa fle, sa han, sa pelena ndërron, sa facleta të lagura i duhen, deri te çfarë grimasa bën, nëse ju njeh apo jo… Bisedat e të rriturve gradualisht pushojnë së qeni aktuale; gjithçka që ju shqetësonte p.f. (para foshnjës) tani duket sikur ndodh në një univers tjetër paralel që nuk ju përket fare. Fakti se sa njëdimensionale janë bisedat tuaja tani, nuk duhet t'ju shqetësojë. Është plotësisht normale!
Argëtimi
Përmbushja e nevojave të foshnjës suaj ndonjëherë është një proces i lodhshëm deri në rraskapitje, si në nivel fizik ashtu edhe në atë psikologjik. Ndoshta ishit mësuar të dilitni me partnerin tuaj pa ndonjë planifikim të veçantë, ndoshta shkonit në kinema, teatër, për ngrënie apo për pije… Tani, gjithçka që dëshironi është gjumë, ose më së shumti një film duke u përkëdhelur në shtrat. Pranohet që keni hyrë në një fazë tjetër, por mos e sakrifikoni tërësisht lirinë tuaj personale, sepse kjo do t'ju kthehet si "bumerang". Një gotë verë në shtëpi, me muzikë të qetë dhe fjalë të ëmbla, është një argëtim për të cilin keni nevojë psikologjike të dy.
Marrëdhënia intime
Ardhja e një anëtari të ri prish ekuilibrat e deritanishëm të çiftit. Në mënyrë të pashmangshme ndikon edhe në jetën seksuale, duke sjellë ndryshime. Faktorët e përfshirë nuk janë vetëm psikologjikë, por edhe biologjikë. Reagimet e gruas mund të ndryshojnë nga ato të burrit. E rëndësishme është që çifti të mos tjetërsohet (largohet) me ardhjen e "pushtuesit të vogël". Nëna dhe babai duhet të kujtojnë rolin e tyre edhe si bashkëshortë.
Psikologjia
Në një moment ndiheni të entuziazmuar sepse foshnja juaj e piu qumështin me një frymë, dhe në momentin tjetër mund të lotoni sepse po qan dhe nuk po kuptoni se çfarë po i ndodh. Ndonjëherë mund të jeni të pasigurt, të ndjeshëm, madje edhe të rraskapitur, por mos u shqetësoni. Këto lëkundje të vogla emocionale janë shumë të zakonshme. Për të përballuar disponimin tuaj të ndryshueshëm, kujdesuni të mos i shtypni ato që ndjeni, por t'i ndani ato me partnerin tuaj dhe me ndonjë mik të ngushtë.
Ndryshimet janë të padiskutueshme, sido që të jetë, duhet kohë për t'u mësuar me jetën e re familjare së bashku me foshnjën tuaj dhe për t'u njohur mirë mami, babi, foshnja, duke komunikuar me kode të reja në strukturën e re të familjes suaj. E sigurt është se nuk ka një recetë se si, secila familje e re e vogël ka dinamikën e saj.
Fillim të mbarë në udhëtimin emocionues të jetës me ekuipazh ju dhe pasagjerët e ardhshëm…